Universi është gjithmonë aty kur kemi nevojë!

0
176

Nga Blerina Livoreka – Mësuese e çertifikuar për JOGA

Shpeshherë e pyesim veten – Kush jam unë? Cili është qëllimi im në jetë? Cila është thirrja ime? A e kam punën e duhur për mua? Cila është puna e ëndërrave te mia? Kur duhet të martohem? A duhet të fejohem së pari? Pse duhet të martohem? Kam dëgjuar të pyesin se pse kam dilema që të martohem me një mashkull? Cili është partneri i duhur për mua? A jam e lumtur me atë se ‘kush jam unë’? Kush do të mendonte se do ta gjeja veten të Shtunën, 7 Mars 2020 në 23:27 në kryeqytetin e një vendi të vogël në Evropën Lindore, Kosovë, në moshën 30 vjeç, një grua e rritur duke menduar dhe duke pasur të gjitha këto pyetje që bredhin në mendjen time. A është normale kjo? A po jam unë më ndryshe dhe mendoj për gjëra të tilla! Sepse kam pas lirinë me hulumtu, me mendu përtej kutisë së pandorës, me u mundu me njoftë veten dhe arsye se pse ekzistoj.

Kush do ta kishte menduar? Në këtë kohë vetja ime e re, Blerina 13 vjeçare do të priste që gjithçka në jetën time do të ishte në një linjë të përsosur dhe të gjitha pikëpyetjet e fëmijërisë do t’i kisha të zgjidhura pa e lodhur veten fare. Kur të arrija në këtë moshë, të gjitha dyshimet do të zhduken, duke pasur jetën time nën kontroll dhe duke e ditur saktësisht se çfarë dua nga jeta. Epo…ja ku jam këtu, në vend që të fle dhe të kem një fillim të freskët ditën tjetër, unë jam këtu duke menduar dhe duke menduar pa u ndalur se çka është me të vërtetë jeta. Kam dëgjuar shpesh njerëz, kryesisht në mesmoshë, duke thënë ‘po të rinjët e sotit janë qu peshë’, ‘nuk din me u knaqë me çka kanë në jetë’, ‘janë qu peshë këto të rejat’ etj. Mirëpo, unë mendoj që ne duhet me u vetëdijësu, mu mundu me kuptu dhe çdo njeri me pranu së pari veten e mandej të tjerët për atë që janë. Jo çdo njeri është i krijum me bo familje, me u martu – fundja nuk ja vlen me e bo zgjedhjen e gabume vetëm pse duhet me u bo me dikënd, ose pse të tjerët thonë se ‘të ka ik vakti’. Mandej, unë çdo ditë dëgjoj dhe lexoj raste se sa shumë tradhti po ndodhin në vendin tonë – është e hidhur, po ky është një realitet që po na rrethon çdo ditë. Sepse pothuajse askush nuk rrezikon të jetë vetja. Për shkak të mënyrës së të menduarit të shumicës në vendin tonë, një pjesë goxha e madhe duhet me jetu për çdo njeri tjetër pos vetes.

Pavarësisht të gjithave, e vetmja gjë që mund të bëja në këtë moment është të dëgjoj atë zanin e fuqishëm brenda meje dhe të filloj t’i shkruaj të gjitha, sepse po të vazhdoja me rutinën e zakonshme, me siguri të nesërmen do të shtyja zvarrë gjithçka, do të mendoja e stër-mendoja nëse duhet t’i shkruaj ato që po i mendoj, e do të gjeja të gjitha pengesat e mundshme që mund të gjej një njeri. Në atë mënyrë e kisha injoru zanin e brendshëm se nuk duhet me u shpreh në këtë mënyrë, e se sa njeri ka me paragjyku çka kam shkru, vetëm sepse nuk e njeh këtë realitet. Kështuqë prej frikës me shpreh atë se kush jam nuk kisha shkru kurgjo, edhe e kisha ndalë zanin që po më vjen prej brendësisë.

Pse kom vendos me i shkru të gjitha këto? Është mirë me shpreh se si po ndihemi në momente të caktuara në jetë, meqë besoj që çdo njeri i ka pikëpyetjet e veta edhe me ju tregu që është OKAY me pas mendime të tilla, është OKAY me pas dyshime edhe frika të tilla!!! Pikërisht për këtë vendosa t’a dëgjoja veten time, ta ndjek atë se si po ndjehem në këtë moment – zërin që nuk më lejonte të flija. 

Pse dua të ndaj atë që mendoj dhe si ndihem me ju? Kjo është një pyetje e mirë. Arsyeja e vetme që kam marrë kohë për të dëgjuar zërin tim të brendshëm dhe për të filluar të ndaj me ju betejat jo vetëm të miat, por të shumicës prej njerëzve që po i takoj e po bisedoj pothuajse çdo ditë, është shumë e thjeshtë ose tepër e komplikuar. Sapo jam kthyer në Kosovë, u ktheva në shtëpi, pas pothuajse dy vitesh punë në Dubai si profesoreshë në një shkollë Amerikane. Gjatë asaj kohe kam udhëtuar rreth e përreth – eksperiencë kjo aspak e lehtë për shkak që ishte hera ime e parë kaq gjatë larg familjes e të cilët më mungonin shumë, por në të njejtën kohë ishte edhe diçka e mahnitshme. Po i jetoja ëndërrat të cilat më dukeshin të pamundura kur isha 15 vjeç.

Pas kthimit në Kosovë filloi ndryshimi i ritmit të jetës, vendosja e prioriteteve për veten, respektimi i kohës time – në Joga është e rëndësishme me qëndru të qetë edhe me kuptu se cili është hapi që vjen pas – mirëpo, e gjithë kjo përvojë vjen me disa çmime të bukura. Këtë sezonë dimri kom vendos me lan punën e cila ishte një punë e standardit ndërkombëtar, me pagesë dhe kushte ndërkombëtare dhe vendosa të ndjek zemrën time dhe të bëj atë që dua. Po bëj përpjekjen që të jem me veten time, të dal nga koka, mendimet, frikat  dhe të dëgjoj zemrën time në vend që të përqendrohem në dyshimet që mendja duket se po mi përplas pa u kursyer fare, në një mënyrë të pamëshirëshme. Unë do t’ju ftoja të bashkoheni me mua në këtë udhëtim të rritjes së vetes, zbulimit të vetes, ekuilibrit të vetes dhe më e rëndësishmja vetë-dashurisë, që është një faktor shumë i rëndësishëm në jetë në mënyrë që të japim më të mirën nga vetja, për veten dhe të tjerët.

Çdo ditë në rrugëtimin tonë të jetës ndiejmë ndjenja të ndryshme si frikë, ankth, dyshim, dhimbje zemre, vetmi, dërrmohemi me gjërat e vogla dhe i bëjmë ato më të mëdha se sa që janë, ne shpesh edhe dorëzohemi, zhytemi thellë duke e mbingarkuar veten me negativitet dhe të gjitha këto ndjenja që i përjetojmë mendojmë se na ndodhin vetëm neve e që ne jemi të vetmit që ndjehemi në këtë mënyrë. Unë thjesht jam këtu për të ju rikujtuar se nuk jeni vetëm. Çdo njeri i ka frikat e veta, dyshimet mbi jetën, depresione në momente të caktuara në jetë. Edhe njerëzit që na duket se po e jetojnë një jetë perfekte, mos harroni – edhe ata i kanë problemet e veta. 

Vetem një gjë duhet ta pyesim veten – sa jemi të gatshëm pas të gjitha problemeve që i kemi në jetën tonë ta trajtojmë dikënd me mirësi, me kujdes e dashuri, me një buzëqeshje? Ajo është dashuria e vërtetë që predikohet në çdo libër religjioz, në çdo libër të mirësisë, paqes dhe dashurisë. Kjo është dashuria e vërtetë që Zoti don me e pa te secili njeri, pavarësisht zgjedhjeve të tyre në jetë, qofshin ato zgjedhje profesioni, zgjedhje jetësore, seksuale apo çfarëdo qofshin ato. Ne duhet të jemi të gatshëm pikë së pari ta pranojmë veten. Mandej edhe të tjerët rreth nesh.

Unë po kërkoj çdo ditë përgjigje për jetën time dhe kur kërkojmë diçka të tillë, gjithmonë marrim përgjigjet e duhura për të cilat kemi pas dilema. Që kur u ktheva, unë jam duke kërkuar inspirim dhe përgjigje se çfarë të bëj me lidhjen time, a jam me njeriun e duhur? Çfarë të bëj me jetën time dhe të gjitha pyetjet e mësipërme. Për të gjitha pyetjet e mia, unë jam gjithashtu duke marrë shumë përgjigje, thjesht mësoj se si t’i kushtoj vëmendje, të marr informatat që më duhen, të besoj në intuitën time, t’a dëgjoj dhe t’i dorëzohem zërit tim të brendshëm. Në fund të ditës, ne jemi mësuesi më i mire për veten.

Cila është historia ime? Jam rritur në një qytet të vogël (Kaçanik) të një vendi tashmë të vogël, që quhet Kosovë. Kosova ime – një vend i bukur me një natyrë të mrekullueshme, ajër të pastër, ushqim fantastik mos me mujt me u ngi kurrë (hahaha) dhe një gamë të gjerë bimësh të egra që rriten pothuajse kudo. A mundeni me paramendu qe Safroni Indian rritet shumë afër shtëpisë time. Unë kam qenë një fëmijë shumë i lumtur, me ëndrra të mëdha, shumë shpresë, gjithmonë duke kërkuar më shumë nga vetja ime, kam besuar te yjet, mrekullitë dhe alkimisti. Kam besuar se pa marrë parasysh kush jeni, apo ku jeni, ju GJITHMONË mund të arrini çkado që dëshironi të arrini në jetë dhe gjithmonë mund të shkoni atje ku të dëshironi. Gjithmonë, me një besim të jashtëzakonshëm se me Zotin unë mund të arrij gjithçka që dua të arrij  dhe çkado që më vjen në mendjen time. Pablo Pikaso, një artist fantastik i të gjitha kohërave, njëherë ka thënë: “Çdo gjë që mund të imagjinoni, është reale”.

TO BE CONTINUED…

~NAMASTE~

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here