Përfitimet shëndetësore që i ka nëna dhe bebja kur zgjatet periudha e gjidhënies

0
109

Çdo nënë vendos për veten dhe beben e saj se sa duhet të zgjatë gjidhënia dhe se kur duhet ta ndal këtë proces.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u rekomandon nënave që ta ushqejnë me gji beben deri në 6 muaj, dhe pastaj të vazhdojnë ta bëjnë këtë deri në 2 vjet apo më shumë, por njëkohësisht ta ushqejnë edhe me ushqime tjera.

Dhe, patjetër se ka shumë përfitime shëndetësore që vijnë me këtë proces.

Bright Side ka zbuluar se cilat janë efektet pozitive të ushqyerjes me gji që zgjatë më shumë dhe si përfitojnë nëna e bebja.

Shëndet më të mirë dhe sistem më të fortë të imunitetit

Qumështi i gjirit ka shumë qeliza të bardha të gjakut, të cilat janë qeliza imune.

Kjo nënkupton se sa më gjatë që e ushqeni me gji beben, aq më shumë i forcohet sistemi i imunitetit direkt nga ju.

Veç kësaj, qumështi i gjirit i adaptohet atyre se për çfarë ka nevojë bebja, ndërkaq i përmban edhe antitrupat e duhur për t’i luftuar infeksionet e ndryshme.

Vlen të ceket se edhe kualiteti i qumështit të gjirit përmirësohet me kohën dhe, rrjedhimisht, aq më gjatë që e ushqeni me gji, aq më shumë përfitime shëndetësore i sjell bebes.

Ka efekte pozitive në funksionin e trurit dhe në sjellje

Mënyra se si zhvillohet mikrobiota e fëmijës mund të ndikojë në funksionet e trurit dhe t’i rregullojë sjelljet komplekse.

Gjidhënia ndihmon në përforcimin e mikrobiomës formuese të bebes duke e furnizuar me vlerat e nevojshme ushqyese.

Studime të shumta madje e kanë ndërlidhur gjidhënien me inteligjencë më të lartë.

Sidoqoftë, qumështi i gjirit përmban nutrientë të caktuar, siç është DHA-ja, e që mund të kenë efekte pozitive në zhvillimin e trurit të bebes.

Mikrobiomë e shëndetshme e zorrëve

Mikrobioma jonë, e cila është e rëndësishme për zhvillimin, nutricionin dhe imunitetin tonë, ndikohet nga gjidhënia.

Shkenca tregon se aq më gjatë që e ushqeni me gji beben, aq më e fuqishme bëhet mikrobioma e bebes.

Gjidhënia e përmirëson gjumin

Ushqyerja me gji mund t’i përmirësojë ritmet e zgjimit dhe gjumit te bebet.

Kjo për shkak të hormonit melatonin, të cilin e përmban qumështi i gjirit dhe që është i nevojshëm për gjumë.

Nutricioni i balancuar

Aq më gjatë që e ushqeni me gji beben, aq më shumë ndryshon qumështi juaj.

Kjo gjithashtu e furnizon beben me vlera më të mira ushqyese.

Një studim ka treguar se pas një viti, qumështi i gjirit ka nivele më të larta të yndyrës dhe energjisë, e të cilat ndikojnë pozitivisht te fëmija.

Lidhja me nënën

Sipas studimit, femrat të cilat e ushqejnë me gji beben për më gjatë, kanë ndjeshmëri më të madhe prindërore, madje edhe më vonë në jetën e fëmijëve.

Përfitimet për nënën

Përveç se ka efekte pozitive te bebja, ushqyerja me gji ka efekte pozitive edhe te nëna.

Disa prej këtyre përfitimeve janë:

  • Ndihmon në humbjen e peshës
  • Nënat kanë rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare
  • Ndihmon në forcimin e eshtrave të nënës
  • E ulë rrezikun e artritit rheumatoid
  • E ulë rrezikun e kancerit në vezore
  • E ulë rrezikun e tipit 2 të diabetit.

Burimi: /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here