Gjatë përditshmërisë tonë, qoftë në botën e gjerë të internetit apo gjatë bisedave me të tjerët, të gjithë rastisim të dëgjojmë për vitamina nga më të ndryshmet, të cilat konsiderohet të kenë efekte pozitive në përmirësimin e funksioneve kryesore të organizmit tonë.
E kur flasim për trupin apo organizmin e femrës, sidomos në periudhën e planifikimit të shtatzanisë, ndër më të përmendurat padyshim që është acidi folik, ndryshe i njohur edhe si vitamin B9, i cili është i domosdoshëm për zhvillimin e duhur të trupit të njeriut.
Konsumimi i sasisë së duhur të acidit folik, e cila patjetër që duhet të bëhet në konsultim me mjekun tuaj, jo vetëm që ul rrezikun e zhvillimit të defekteve të trurit apo shpinës tek bebet nga 50% deri në 70%, por gjithashtu konsumimi i rregullt i kësaj vitamine mund të ul rrezikun e zhvillimin edhe të defekteve tjera tek bebi juaj, që lidhen me zhvillimin e buzëve apo qiellëzës, si dhe të tjera që lidhen me gjendjen e zemrës.
Duhet ta keni parasysh që pavarësisht faktit që ju mund të ushqeheni shëndetshëm apo të ndjekni një dietë të balancuar, është e dëshmuar që trupi sërish ka nevojë për vitamina shtesë. Kjo për arsye që trupi i njeriut absorbon në mënyrë shumë më efikase formën artificiale të acidit folik të cilën e gjeni në vitamina, se sa atë në formë natyrale e cila mund të merret përmes ushqimeve të ndryshme.
Në anën tjetër, një pjesë e madhe e grave konsumojnë sasi shumë të vogla të mishit. Për këtë arsye, marrja e vitaminave shtesë të cilat përmbajnë hekur, është shumë e rëndësishme në parandalimin e anemisë, e cila paraqet një gjendje që vjen si rezultat i mungesës së hekurit në organizëm. Për më tepër, nëse shtatzania shoqërohet me mungesën e hekurit, përkatësisht aneminë, kjo mund të shkaktojë disa pasoja negative, përfshirë këtu lindjen e parakohshme, peshën e ulët të lindjes, e madje mund të rezultojë edhe me rritjen e shkallës së vdekshmërisë tek bebet.
Kjo na lë të nënkuptojmë që kujdesi për shëndetin tonë, rrjedhimisht atë të bebit dhe mënyrën e të ushqyerit duhet të jetë i vazhdueshëm, si para, ashtu edhe gjatë procesit të shtatzanisë dhe pas saj.