Nga dështimi në MREKULLI!

0
182

Nga Marigona Milazimi

Si çdo vajzë tjetër e vogël që ëndërron për momentin kur të bëhet nënë, edhe unë ashtu isha. Ëndërroja që një ditë të kem një fëmijë timin, një dashuri pa kushte. Kur vendosëm me partnerin që të fillonim përpjekjet për një shtatzani, për fatin tim të mirë nuk kaloi shumë kohë dhe unë mbeta shtatzënë. Mirëpo, nuk ishte e shkruar – për arsye edhe sot të panjohura, sipas vlerësimit të doktorit kjo shtatzani duhej të ndërpritej dhe kështu shtatzania ime e parë përfundoi me dështim (abort). Ishte shumë zhgenjyese, pikëlluese dhe thyerje për neve si çift i ri. Por, nga dëshira e madhe që kishim të bëheshim prind, vazhduam me mjekime dhe deshti Zoti që pas 5 muajsh nga dështimi të kisha një shtatzani të dytë. Ishin emocione të përziera. Në njërën anë një gëzim dhe entuziazëm i papërshkrueshëm, mirëpo në anën tjetër edhe shumë frikë. Frikë se mos ndoshta do të ndodhte si herën e parë.

Gjatë tërë kohës së shtatzanisë, por, edhe më herët si femër që jam, shpeshherë kam qenë pjesë e bisedave me shumë nëna pikësisht rreth mëmësisë, lindjes e shumë përvojave tjera rreth fëmijëve. Gjithmonë më ishte thënë që duhet bërë lindje normale, sepse sipas disa prej tyre ‘nuk e ndjen njësoj fëmiun tënd nëse lindjen e bën me operacion’, ‘nuk e ndjen momentin e dashurisë kur e takon për herë të parë’, ‘pas operacionit ke shumë dhimbje, me lindje normale jo’, me pak fjalë më lan të kuptoj se ‘duhet me i ndje dhimbjet e lindjes për me dasht fëmiun tënd më shumë’. Në një formë ose tjetër, këto mendime të shumë nënave tjera, tanimë ishin shndërruar në bindjen time dhe dëshira ime për një lindje normale sa vinte e shtohej edhe gjatë shtatzanisë, e bashkë me të edhe ‘urrejtja’ dhe skepticizmi ndaj lindjes me prerje cezariane.

Kalonin ditët, javët e muajt, ndërsa unë po e shijoja shtatzaninë time. Duke shkuar nga muaji i fundit, mjeku im më tha që trupi im nuk do të mund t’a përballonte një lindje normale. Për mua ishte dita më stresuese e gjithë shtatzanisë sime. E gjithë kjo për shkak të gjithë atyre bindjeve të mësipërme, që i kisha fiksuar në mendjen time. Akoma vazhdoja të mendoja që mjeku im mund ta kishte gabim. U mendova gjatë nëse duhet të konsultohem edhe me ndonjë mjek tjetër, por, pas shumë e shumë analizave nuk e bëra.  Në takimin e radhës me mjekun i thash që unë doja të provoja lindje normale dhe padyshim që ai më mbështeti.

Pas shumë pritjeve, para datës se caktuar të lindjes më filluan kontraksionet e para dhe menjëherë vendosëm të shkonim në spital. Sipas mjekes që më pranoi, akoma nuk isha gati, madje isha shumë larg për të lindur. Mjeku im më sugjeroi që të shtrihem në spital që të mund të ma përcjellte gjendjen. Isha e lumtur që po afrohej takimi me dashurinë time të vogël, por, në të njejtën kohë ndjeja stres dhe frikë. Erdhi mëngjesi i ditës vijuese dhe unë akoma nuk isha gati.

Po të njejtin mëngjes, arriti edhe mjeku im dhe më tha që jam shumë larg për lindje natyrale dhe për arsye të shëndetit tim dhe të bebes më rekomandoi që të vazhdojmë me prerje cezariane.

Në ato momente, po përjetoja shumë emocione të përziera, por më së shumti ankth. Miliona mendime më kaluan në mendje dhe sërish më kaploi një frikë e madhe. Me zërin që më dridhej, pranova që të futem në operacion. Nënshkrova edhe një grusht me dokumente, e qës as sot nuk e di se çfarë ka shkruar në to, sepse nuk doja ta mendoja që s’do t’ia dilja.

Më bënë gati për në sallë të operacionit dhe vendosa që deri aty të shkoj në këmbë, sepse ashtu po i’a kujtoja vetes përsëri që jam shumë e fortë. Mjekët më thanë që mund të bisedojnë me mua gjatë gjithë procesit dhe mund të më njoftojnë për hapat që po ndjekin, por, nuk pranova. Nuk e pash të nevojshme t’i di detajet deri në momentin që të dalë beba.

E shtrirë në sallë, e mpirë me një pamje prej një drite që e kisha të vendosur mbi kokë dhe një çarçaf blu, filloi procesi që unë e kisha frikë më së shumti. Por, pas disa minutave u harrua gjithçka. Ishte momenti kur mjeku më njoftoi që djali doli dhe se ishte shëndosh e mirë. Ishte momenti më i lumtur i jetës time, momenti i parë në jetë që kam qarë nga gëzimi. Ai çast kur ma sollën beben time dhe e ndjeva afër me mua, kjo mrekulli e vogël u bë bota ime.

E shijova jashtë mase edhe pse isha me prerje cezarine, në fakt u mrekullova nga lumturia. Cdo dhimbje pas saj i’a vlen, por, nuk i’a vlen që të ushqehesh me përvoja të të tjerëve, sepse asnjë trup nuk është i njejtë. Të gjitha përvojat janë unike dhe në çfarëdo forme që vendosni ju vet ta lindni beben, apo se si ju rekomandon mjeku, pa asnjë fije dyshimi ndjesia dhe emocioni që do ta përjetoni mbetet i njejtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here