“Jeto dhe vepro ashtu siç do doje t’i shohësh fëmijët e tu!“ – rrëfimi ekskluziv nga Hana Cakuli për Bubrreci TV

0
134

Nga Hana Cakuli

Ishte muaji maj i vitit 2015 kur e bëra testin e parë të shtatzanisë dhe doli pozitiv. U gëzova shumë, duke menduar që do të bëhesha nënë e një fëmije. Kaluan dy javë derisa erdhi koha për terminin te gjinekologu për të marrë vesh surprizën e shtatzanisë. Gjinekologu filloi kontrollën, e pa beben brenda dhe rrahjet e zemrës, duke thënë se ato janë të forta. Por, në një moment tha: “Vetëm pak, se jam duke e parë edhe rrahjen e zemrës së dytë! Nuk është një bebe, por janë DY!“. Aty e kuptova se në mua po rriteshin dy bebe me rrahje te fuqishme të zemrës. Fjalia tjetër që më tha ishte: “Kujdes, se shtatzania me binjakë është e rrezikshme!“

Aty fillova te kujdesesha trefish, për veten dhe për dy binjaket brenda meje. Shtatzania kaloi pa probleme, pa ndonje siklet, deri në momentin që ato dyja vendosën të dilnin para kohe. E gjitha që po e rrefej tani është e pathënë më herët, duke qenë se shtatzaninë e kam mbajtur të fshehur nga mediat.

Në bazë të gjinekologut, nga mënyra se si po shkonte zhvillimi i dy vajzave ne bark, unë do të arrija deri tek java e 38-të e shtatzanisë. Por, erdhi java e 28, e mua më filluan dhimbjet. Pos kësaj, kisha të vjella dhe simptoma tjera të lindjes së parakohshme, për të cilat kisha lexuar e isha përgatitur, duke qenë se isha shtatzënë me binjake. Bashkë me burrin, shkuam direkt në spital. Mjekët po përpiqeshin që me medikamente të ndryshme ta ndalonin procesin e lindjes, por, Elena e Dorela kishin vendosur te dalin. Aty erdhi mjekja kryesore dhe tregoi përfundimisht që lindja nuk mund të ndalet, pavarësisht përpjekjeve.

Pasiqë të dyja ishin me nga një (1) kilogram, lindja u desht të bëhej me operacion. Çdo gjë shkoi mirë dhe të dy vajzat u dërguan direkt tek mjeku, ekipi dhe inkubatori i tyre. Ishte komplet ndryshe nga ajo që e kisha paramenduar. Ai momenti kur del beba dhe nëna e merr në krahëror, nuk ndodhi për mua. Ishte urgjente që të dyja të dërgoheshin tek mjeku dhe ekipi mjekësor, duke qenë se lindën shumë herët. Vajzat lindën në Mynih, ku edhe po jetoja dhe ndihesha shumë e sigurtë pasi u dërgova tek spitali special për lindje të parakohshme. U desht që një muaj e gjysëm vajzat të qëndronin në inkubator dhe pas kësaj kur vajzat erdhën në shtëpi, çdo gjë i‘u kthye normalitetit (nëse mund ta quash “normalitet“ me dy bebe përnjëherësh në shtëpi, ha-ha).

Që nga ai moment që e kuptova se isha shtatzënë me dy fëmijë e deri më sot, mendja ime është njëkohësisht e ndarë tek dy vajzat, dy persona, dy palë veshje, dy palë lojëra, dy palë shishe, dy palë ushqime, e të tjera e të tjera. Dhe nuk është vetëm përqendrimi tek njëra dhe përqendrimi tek tjetra, që të bën të jesh e fokusuar në dy vende njëkohësisht. Por, të jesh nënë e binjakeve ka të bëjë shumë edhe me bashkëveprimin ndërmjet të dyjave, si një element i tretë shumë i rëndësishëm i rritjes dhe zhvillimit të binjakeve. Secila nënë që ka rritur binjake, e din se çfarë po mendoj.

Çdo shtatzani, çdo lindje e çdo rritje e fëmijëve e ka formën dhe mënyrën e vet. Çfarë mund të them për fund është që pas gjithë vështirësive të rritjes së binjakeve, është me të vërtetë një bekim i dyfishtë. Të qenit nënë (dhe këtë e dyfishtë) më ka bërë ta shoh jetën ndryshe, me një përgjegjësi më të madhe, ku them: “Jeto dhe vepro ashtu siç do doje t’i shohësh fëmijët e tu!“. Vetëm kështu mund të japim maksimumin nga vetja, duke u bazuar në dashurinë e pakusht dhe dëshirën për t’i parë fëmijët mbi gjithçka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here