Asnjëherë mos u ngut të paragjykosh

0
20

Sa po i afrohesha kasës te dyqani, shoh para meje një mesoburrë me tre fëmijë kapur për dore. Të katër pa maska. Kishte një bukë e një shishe qumësht nën sqetull. U nxeha e sapo do i thoja shitëses, pse u shërben kur s’kanë maskë, dëgjova dialogun:

-1.800 lekë të vjetra, Jaçe.

-Shënoje te fletorja, -i tha burri.

-Ke dy javë pa shlyer.

Burri s’foli, doli. Fëmijët pas tij si tek ajo gravura me rosën që e ndjekin rikat varg.

Pyeta shitësen:

-Sa lekë pa shlyer?

-40 mijë të vjetra. Se vetëm bukë dhe qumësht ble.

Dola jashtë. Pashë që tre fëmijët këpusnin kore nga buka dhe ecnin ngadalë duke ngrënë. Hodha te këmbët e mija një 5 mijëshe të re.

-O zotëri, Jaçe, -i bërtita. -Ty të ka rënë kjo pesëmijëshe?

Ai u afrua, e pa dhe nuk foli një çast. Pastaj tha:

-Jo. Nuk kam unë kaq para.

-Epo tani i ke,-i thashë.- Se nuk janë as të mijat. Është fati yt se ti i shkele me këmbë e nuk i pe. T’i gëzosh!- dhe ika me nxit.

Ai mori kartmonedhën e padashur e fërkoi. Një çast. Se u kthye me fytyrë nga dyqani e hyri brenda. Pas pak doli i qeshur. Pasi fshiu emrin në fletore i ngelën ca të holla sa bleu një qese me karamele. E grisi me dhëmbë ambalazhin dhe ua ndau tre fëmijëve. Atë çast dielli m’u duk më i ndritshëm…

A.Xhafka

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here