Bullizmi – Ngacmimi me qëllim përuljeje – Kur fillon?

0
38

Nga Flutur Mustafa

*Ani – emër imagjinar për të ruajtur identitetin e të miturit

“Ani* ka vesh maicë bojbakame, ka vesh tesha të varzave. Ani vjen çdo ditë me të njajtat pantolla dhe të njajtin duks në çerdhe!”

“Ani, cka je ti? A je Beg, a je Agë? Se na jena prej begve e agve e ti je prej katunit”.

Me këto fjale e shumë të tjera është përballur një vocrrak që nga mosha 3 deri 5 vjeçare në një çerdhe në qytetin e Ulqinit prej nga vi edhe unë.

Fëmijët që në vegjëli fillojnë që t’i dallojnë bashkëmoshatarët me mënyrën e veshjes, ndarjen gjinore të ngjyrave dhe prejardhjen fisnore (lokalizmat qytetar dhe fshatar).

Ani i vogël, pas secilës pyetje të bashkëmoshatarëve kthehej në shtëpi i lënduar, i habitur dhe konfuz nga pyetjet e shokëve dhe ngacmimeve për të cilat ai nuk e dinte emrin ngacmim.

Falë prindërve dhe motrave, Ani e tejkaloi këtë fazë duke i’u përgjigjur shokëve ngacmues në secilën pyetje sipas logjikës së tij; “se ngjyra e bojbakame asht e bukur edhe për djem dhe se motra i’a blen teshat siç asht moda, se unë veshi çka më pëlqen dhe në çka ndjehem rahat me lujt në çerdhe edhe unë jam njeri, nuk kam lindë as në Ulqin e as në fshat, kam lindë në një qytet ma të madh.”

Tek një fëmijë i moshës 4 – 5 vjeçare apo edhe më i vogël; është shqetësues fenomeni i shfaqjes së lokalizmit. Është diçka që nuk e mëson me fëmijët e tjerë, por, e mëson nga prindërit në shtëpi, duke i kopjuar veprimet dhe fjalët e tyre dhe duke thithur preokupimin psiqik të tyre në raport me prejardhjen e individëve. Kjo ushqehet së pari nga familjet të cilat bëjnë të tilla diferencime; qoftë në paraqitje, veshje e qoftë edhe në prejardhjen e dikujt.

Ky fenomen ndikon në formimin e karakterit dhe zhvillimin e personalitet tek fëmijët që në moshë të hershme. Kjo ndikon tek ngurrimi për të shprehur jo vetëm ndjenjat, por, edhe mendimin. Poashtu, kjo shkakton zhvillimin e një personaliteti introvert nga frika e paragjykimit apo edhe gjykimit të drejtpërdrejt.

Personalisht jam përballur me bullizmin nga mosha 11 vjeçare; nga moshatarët në klasë e deri tek 2 gjenerata më të moshuara se unë. Jam ngacmuar tejet për mënyrën e veshjes, për pallton e njejtë që më binte pakëz e vogël, për gjallërinë, për prejardhjen time etj. Në moshën 16 vjeçare, ky ngacmim ka arritur kulmin në gjimnaz ku ngacmohesha edhe për aktivitetet e mia; fatkeqësisht më janë veshur vepra të cilat nuk i kam bërë; nga persona qe i kam patur afër vetes dhe i kam konsideruar shoqe dhe të afërta. Pas 4 viteve, e kam marrë vesh edhe të vërtetën pas atyre ngacmimeve, mirëpo ka qenë shumë vonë për të “zbardhur” emrin tim të përlyer pa të drejtë. Ajo e cila ka kontribuuar me fillimin e kësaj maratone të ngacmimeve e ka një fund mund të them të hidhur; nuk është ndarë nga kjo jetë, por, le të themi që Karma ekziston.

Mosha 16 vjeçare është një moshë kritike në disa aspekte; në zhvillimin psiqik, emocional e qe besa edhe zhvillimin fizik. Ka raste kur si pasojë e ngacmimeve, adoleshentët përballen edhe me mendimet e errëta për t’i dhënë fund jetës në mënyra të ndryshme. Nuk e mohoj që edhe vetë kam kaluar në atë fazë të errët, por, fatmirësisht falë familjes time dhe mbështetjes së tyre; kam arritur që energjinë negative të cilën e kam marrë nga mocanikët ngacmues; ta shndërroj në energji për të më ndihmuar që të arrij cakun tim në jetë. Sa e dhimbshme është që një salle me 700+ veta të brohorasë me tone negative kur ti ngjitesh në skenë të këndosh dhe stonon, se më nuk e dëgjon veten. Mirëpo, edhe kësaj i erdh një fund. Unë e kam zhvilluar si mekanizëm mbrojtës humorin dhe sarkazmën, duke mos i dhënë shans askujt të shoh brendësinë time të brishtë.

Situatat nëpër të cilat kam kaluar, kanë bërë që përmes shkrimit dhe skenës, respektivisht letërsisë dhe interpretimit, t’i kanalizoj ndjenjat dhe t’i përdori ato në mënyrën më pozitive te mundshme, duke e ngritur veten nga hiri e balta ku të tjerët të gjuajnë.

Më ka rënë që të përballem me ngacmuesit/et pas 4 e më shumë viteve. Sepse të shumta kanë qenë edhe vajzat për të cilat as sot nuk e di arsyen se pse i’u është dukur vetja më superiore karshi meje. Nuk mund të them që nuk kam ndjerë asgjë. Por, mund të them se jam krenare me veten për mënyrën e tejkalimit të kësaj situate dhe me arritjet e mia, të cilat mbase nuk do ishin kaq voluminoze nëse nuk do më ushtrohej një presion i tillë, mbase do rrija në flluskën e rehatisë dhe nuk do dilja asnjëherë jashtë saj.

Bullizëm ka çdo kund, në shkollë, në vend të punës, në qytet, në kafene. Por, duhet të punojmë shumë, në mënyrë që ky fenomen të mos jetë prezent kaq shumë në shoqërinë tonë. Duhet filluar nga shtëpia, komunikimi i drejtpërdrejt i prindërve me fëmijë; nga përfshirja e psikologëve, nga shkollat dhe të gjitha institucioneve relevante, sepse ka shumë adoleshentë që jane pre e bullizmit dhe që e mbajnë në vete. Janë ndjenja shumë të forta për t’i përballuar të vetëm dhe fatkeqësisht jo të gjithë zgjedhin JETËN.

Andaj, para se të themi ndonjë fjalë karshi dikujt; le të numërojmë deri në 5 përpara se ta themi dhe të mendojmë me vete nëse ne do të ndiheshim mirë sikur ajo fjalë të na thuhej neve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here