Ne lindim nga dashuria…dashuria është Nëna jonë

0
97

Përjetimi emocionues i ndjesisë më të bukur në botë

Nga Krenare Imeraj

Sa herë filloj të rrëfej përjetimet e mia të periudhës së shtatzanisë dhe lindjes, gjëja e parë që më del në mendje është momenti i parë që kam pranuar në krahëror foshnjen time, ashtu e zhveshur, e ngrohtë e butë si mëndafsh. Kujtoj që kam qarë me zë dhe kam thënë disa herë ‘nuk mund të besoj, nuk mund të besoj’! Ishte njëmend përjetimi më i pabesueshëm dhe gati i pamundur (në mendjen time). Më është dashur disa orë, madje edhe ditë, që të bindë veten se unë i’a kam dalë të krijoj një gjë kaq të bukur, e cila përnjëherë u bë për mua më e dashura në botë. 

Nuk kujtoj të kem dëgjuar dikë të thotë tani unë jam gati të bëhem nënë. Supozoj që një grua në mendjen e saj beson që kurrë nuk është plotësisht e gatshme të përkushtojë gjithë qenien e saj për një krijesë të re. Por, posa të vjen momenti që ta mbash në duar krijesën e vogël që me mund e vështirësi e ke sjellë në botë, gjithçka ndryshon! Gruaja përnjëherë bëhet e gatshme dhe vë në dispozicion gjithçka që ajo ka për t’u kujdesur dhe për të rritur foshnjen e saj ashtu si është më së miri.

Edhe me mua ka ndodhur e njejta gjë. Para se të isha shtatzënë, mëmësia më dukej dicka e largët për të cilën ende nuk isha e pjekur apo e rritur për ta ndërmarrë si hap. Gjithçka ndryshon kur sheh dy vijat e kuqe tek testi ?. Fillova menjëherë të ndryshoj dietën, madje edhe stilin e jetës në përgjithësi. U bëra më e vëmendshme dhe më e përgjegjshme. Haja vetëm gjëra të shëndetshme dhe mundohesha të ecja nga një orë në ditë. Me orë të tëra lexoja gjithçka rreth zhvillimit të bebës në bark, procesit të lindjes, rritjes dhe zhvillimit të bebes kur do fillojë jetën jashtë barkut tim. Por, prap se prapë nuk ka libra në botë që të tregojnë saktë se cfarë do të përjetosh gjatë lindjes. Edhe pse unë kam pasur një lindje normale, pa komplikime e cila cilësohet si lindje e lehtë dhe e mbarë, unë prap kujtoj dhimbjet e llahtarshme që kam ndjerë për 4 orë me radhë në natën e 24 Marsit. 

Pata vendosur që lindjen të bëja në spitalin e shtetit, meqë mjekja që më kishte përcjellur shtatzaninë punonte në po atë spital. Normalisht, kisha dëgjuar për kushtet minimale që kishte spitali, kushte të cilat nuk mbulojnë nevojat bazë të një gruaje që pret të bëhet nënë. ‘Dhoma e pritjes’ dukej më shumë si aneks koridori, pa ndriqim (nuk punonin dritat), me shtretër të vjetër dhe të fortë, mbulesat e të cilit i kisha marrë me vete nga shtëpia. Shumë afër shtratit tim ishin edhe disa shtretër të tjerë me gra në prag të lindjes, ofshimat e bërtimat e të cilave i kam ende të freskëta. Fytyrat nuk pata arritur të jua vërej (si pasojë e mungesës së dritave). Në atë dhomë nuk lejohej asnjë familjar. Sa do doja të kisha afër një njeri timin në ato momente që të më kapte dorën dhe të më thoshte se do t’ia dilja. Por, isha e vetme, me dhimbjet që sa vinin e rëndoheshin dhe me frikën e pasigurinë se ky ankth nuk do përfundoj kurrë. Për fatin tim të mirë, mjekja ime ishte atë natë në punë dhe po e përcjellte gjendjen time dhe të shumë grave tjera. Gjithçka dukej se po shkonte mirë (sipas rregullave mjekësore). Ishte ora 3-4 pas mesnate kur ajo më tha se do të lindja diku rreth orës 6 të mëngjesit. Ashtu edhe u bë. Në orën 6 e 30 të mëngjesit, unë arrita të nxjerrë në jetë bebushen time të cilën e pagëzova me emrin Luiza. Lindi e shëndetshme, plotë 4.260 g. Posa e kanë bërë gati, ma kanë ofruar në gji ku ka filluar menjëherë të pij. Ishte momenti më i lumtur dhe më i qetë që kisha ndjerë ndonjëherë në jetën time. Mundimet dhe përjetimet e natës që iku, u venitën. Tani krejt çka kishte rëndësi, ishte të kisha ashtu afër Luizën time të vogël. 

Kisha lexuar shumë për rëndësinë e gjidhënies. Qumështin e artë! E ndjeja tejet të rëndësishme që fëmija im të vazhdojë të ushqehet nga trupi im. Nuk ishte aspak e lehtë në javët e para pasi e solla në shtëpi, por, gjidhënia për mua mbetet arritja më e madhe që kam bërë për veten dhe bebin tim. Lidhja që është krijuar në mes ne të dyjave gjatë kohës së gjidhënies, është lidhje që nuk harrohet dhe lidhje që më dha forcë e krenari. Luiza vazhdoi të pij gji deri sa mbushi plot 2 vite e gjysmë. Kur ishte për gjumë, kur ishte e uritur, kur donte të pushonte ose të luante, mbështetur në krahërorin tim ajo gjeti gjithmonë rehatinë që donte. Netët që kaloja me copa gjumi, dhe ditët kur ndjehesha e rraskapitur, kaluan dhe u harruan. Lumturinë që e ndjen nga brenda sa herë që sheh buzëqeshjen e parë të bebit (dhe mijëra të tjera në vazhdim), dhëmbin e parë, lugën e parë, hapat e parë e deri tek fjala e parë, nuk peshohen me asgjë!

Shpesh herë e them që një nënë jeton dy jetë, të sajën dhe të fëmijës së saj. Mëmësia do të thotë të jesh krejtësisht e pushtuar (në mënyrën më të mirë të mundshme) nga dashuria, gëzimi, përgjegjësia dhe vetëmohimi. Përjetimet e mia të mëmësisë, dua t’i mbyllë me një thënie nga Rumi: “Ne lindim nga dashuria…dashuria është Nëna jonë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here