Home LAJME DHE INTERVISTA Fakte interesante Historia e jashtëzakonshme e gruas brilante dhe të suksesshme që vuan nga...

Historia e jashtëzakonshme e gruas brilante dhe të suksesshme që vuan nga skizofrenia

0

Elyn Saks mban mend akoma episodet e hershme të skizofrenisë së saj, ndonëse atëherë nuk e dinte çfarë ishte.

“Njëherë, në mes të shkollës, u çova dhe nisa të ecja shumë larg shtëpisë. Ndjeja sikur kuajt po më nisnin mesazhe. “Ti je e veçantë. Veçanërisht je e keqe. Pendohu. Ec! Ndjeja entitete të vendosura në kokën time, ishte shqetësuese dhe e frikshme në të njëjtën kohë.”- kujton ajo.

Ishte vetëm 16-vjeç kur të tilla mendime nisën të shndërroheshin në shqetësuese gjithnjë e më shumë.

“Shpesh mendoja se kisha vrarë me qindra njerëz në mendjen time. Vuaja nga halucinacionet, më bëhej përshembull sikur para meje qëndronte një burrë me një thikë të drejtuar sipër kokës sime.”

Saks, është një prej 2.4 milionë amerikanëve që vuajnë nga skizofrenia, një çrregullim mendor kronik që i bën njerëzit e prekur herë pas here të shkëputen nga realiteti.

Shënim: Skizofrenia – Sëmundje e rëndë mendore, që shfaqet me dyzim të botës së brendshme të të sëmurit për shkak të çrregullimeve në bashkërendimin e proceseve psikike dhe që sjell rënien e veprimtarisë psikike e paaftësinë për të vepruar në përputhje me realitetin. Simptomat e saj përfshijnë halucinacione, paranojë, dëgjim zërash të brendshëm dhe pamundësi për t’ju përgjigjur të tjerëve.

Pasojat e kësaj sëmundjeje janë kaq shkatërruese sa shumë njerëzve me skizofreni i është thënë nga mjekët (ashtu sikurse Saks-it dikur), se do të ishte e pamundur të kishin një jetë të pavarur, të gjenin një partner apo të kishin një punë dhe jetë të qëndrueshme.

Nisur nga ky mendim, historia e Elyn Saks- një grua e diplomuar në Universitetin e Oxford-it, Yale Law School, autore e një libri “best seller” dhe fituese e çmimit MacArthur,- ngjan thuajse e pamundur. Sidoqoftë, e gjithë kjo provon se skizofrenia nuk është ajo që shumë njerëz mendojnë se është.

Fillimisht, zbulimi ishte i frikshëm

Sëmundja e saj u shfaq gjatë viteve të edukimit. Në fillim, dukej thjesht si depresion dhe simptoma të lehta të paranojës. Më tej, këto simptoma u përkeqësuan dhe nisën të reflektonin gjithnjë e më tepër tek mendimet dhe humori i saj.

“Nuk mendoja se duhet të flisja sepse më dukej sikur nëse do ta bëja, do të shpërndaja zërin e djallit kudo. Prandaj rrija e heshtur. Gjithçka ndodhi kur ndiqja studimet për drejtësi. Nisa të flisja me shokët fjalë që s’bënin sens. Ishin të gjitha episode makthesh, por me ndryshimin që ky makth nuk mbaronte kur ti hapje sytë dhe çoheshe nga shtrati.”- rrëfen ajo.

Pas gjithë fjalëve të frikshme dhe deklarateve të rrezikshme që tha, profesorët u detyruan ta çonin në dhomën e emergjencës dhe më pas njoftuan sigurimin.

Çdo ditë atë e mbanin të lidhur për orë të tëra, proces të cilin e kujton si shumë të dhimbshëm, të tmerrshëm dhe degradues. Saks sot, është një nga njerëzit që kundërshton hapur përdorimin e kufizimeve fizike, duke e quajtur si “gjënë më traumatike që i ka ndodhur ndonjëherë”.

Kur u diagnostikua me skizofreni, psikiatri i saj i sugjeroi të mos kthehej në shkollë dhe në punën që bënte asokohe. Diçka brenda saj i tha se duhet të rebelohej ndaj kësaj kërkese.

“Mendova me vete, kam qenë studente gjithë jetën time. Unë e bëj shumë mirë këtë gjë. Më pëlqen! Këto orë janë shumë fleksibël.”

Pas kësaj logjike, Saks refuzoi të hiqtë dorë dhe gjeti një mënyrë tjetër për t’ja dalë.

Disa nga miqtë e saj më të mirë dhe studentë të tjerë, shpesh e ndihmonin t’i kalonte episodet e radhës gjatë kohës së universitetit. Pak kohë pasi u diagnostikua me skizofreni, miku më i mirë i Saks u bë një student i drejtësisë. Ai e dallonte që ajo do të frikësohej nëse i kalonte e vetme mendimet e atyre episodeve të frikshme dhe i ofroi shoqërinë e saj.

“Kishte momente që merrja thjesht një libër dhe ulesha me Elyn për të lexuar. Mendoja se nëse ishte me dikë, do ta kishte më të thjeshtë që këto momente të kalonin. E kisha ndarë mendjen që do të qëndroja pranë saj derisa ta kalonte.

Rreth 30 vite më vonë, Saks dhe miku i saj, sot psikolog, vazhdojnë komunikojnë thuajse çdo ditë. Ajo kthehet tek ai sa herë kalon në psikopati dhe ai e ndihmon të zbulojë çfarë është reale dhe çfarë jo.

“Unë s’e imagjinoj dot jetën pa miq. Duhet të jetë shumë e dhimbshme!”- shprehet ajo.

Ndonëse Saks gjeti mënyra për ta menaxhuar skizofreninë e saj, ende e ndjente se vuante si shumë njerëz të tjerë me këtë çrregullim. Iu deshën vite të tëra që më në fund të pranonte faktin që ilaçet do ta ndihmonin që simptomat e saj të reduktoheshin.

“Kur kuptova dhe pranova se mendja ime nuk ishte e njëjtë me atë të të tjerëve, jeta ime ndryshoi.”

Përsa i përket jetës personale, Elyn thotë se kurrë nuk ka pritur të gjejë dashurinë, por pastaj takoi dikë. Will Vinet, sipas saj është gjëja më e mirë që i ka ndodhur në jetë.

Ata u takuan kur ajo punonte në një librari në University of Southern California, ku ai ishte profesor.

“Ajo vinte shpesh për të më kërkuar ndihmë për diçka ose një tjetër. Më vonë më tregoi se po përpiqej të flirtonte me mua dhe unë ia ktheva duke i thënë se s’kishte qenë jashtëzakonisht efektive në përpjekjet e saj.”- tregon ai.

Pas daljeve të para, ajo tregon se ra në dashuri ashtu siç nuk e kishte imagjinuar asnjëherë, e ndërsa ai thotë se nuk u tërhoq kurrë prej saj nga kjo sëmundje.

Për disa kohë, Saks e mbajti sekret sëmundjen, por me kalimin e kohës kuptoi se duke bërë këtë po kontribuonte në stigma dhe mitet që lidheshin me këtë çrregullim. Në 2007-ën, publikoi një libër me gjithë çfarë kishte kaluar për vite me radhë!

Në 2009-ën, ajo fitoi çmimin MacArthur Fellowship, i njohur ndryshe si “Genius Grant”- çmim që i jepet çdo vit 20-30 individëve, që punojnë në fusha të ndryshme dhe kanë treguar origjinalitet të jashtëzakonshëm dhe dedikim në krijimet e tyre të nisur nga eksperiencat vetjake.

Në 2012-in, ajo mbajti një fjalim TED Talk që u pa nga më shumë se 4 milionë herë. Pavarësisht kësaj historie, Saks nuk i thotë njerëzve se kushdo me skizofreni mund të arrijë ekzaktësisht të njëjtat gjëra që arriti ajo.

Qëllimi i saj është të tregojë se duhet kërkuar trajtimi i duhur, mbështetja nga mjedisi i jashtëm dhe se një njeri më këtë sëmundje “mund të gjejë fuqinë e plotë brenda vetes”.

Burimi: /Telegrafi/

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Exit mobile version