Acidi folik nuk është një vitaminë e zakonshme, por është një supervitaminë! Nëse një grua merr çdo ditë acid folik në dozë 400 mikrogram (mcg) përpara se të mbetet shtatzënë dhe në tre muajt e parë të shtatzënisë, i parandalon defektet e trurit dhe të palcës kurrizore tek fëmija.
Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725
Acidi folik, ndonëse quhet acid është në fakt një vitaminë e cila bën pjesë në familjen e vitaminave B.
Acid folik ka edhe në ushqimet të cilat i konsumojmë, por kjo nuk e përjashton domosdoshmërinë që një grua shtatzënë ose që provon të mbetet shtatzënë të merr 400 mcg acid folik në ditë.
Arsyeja se përse acidi folik duhet të merret edhe përpara se një grua të mbetet shtatzënë është se anomalitë e tubit neural shfaqen në 3-4 javët e para të shtatzënisë, prandaj në organizmin e asaj gruaje duhet të ketë një depozitë të mjaftueshme gjatë javëve të para kur zhvillohet truri dhe palca kurrizore e fëmijës.
Rekomandohet që acidi folik të merret së paku një muaj përpara shtatzënisë. Ka rekomandime që kjo vitaminë të merret edhe shumë muaj përpara shtatzënisë.
Acidi folik duhet të merret në dozë 400 mikrogram (mcg) ose 0.4 miligram (mg). Doza e acidit folik duhet të jetë më e lartë vetëm në rastet:
1. Kur një grua merr barna për epilepsi, sepse këto barna e pengojnë përthithjen e acidit folik, prandaj doza e acidit folik duhet të jetë më e madhe.
2. Nëse indeksi i masës trupore është mbi 30 (që do thotë se nëse një grua e gjatë 170 cm peshon rreth 90 kilogram e më tepër). Gratë e shëndosha kanë tendencë që të kenë vlera më të ulëta të acidit folik në gjakun e tyre, prandaj doza duhet të jetë më e lartë.
3. Nëse një grua ka diabet (sëmundje të sheqerit).
Burimi: /Telegrafi/