Sipas studimeve, gjidhënia mund të ulë rrezikun e leukemisë tek fëmijët

0
39

Sipas një artikulli të publikuar nga JAMA Pediatrics, gjidhënia që zgjat gjashtë muaj apo më gjatë ndikon në uljen e rrezikut të leukemisë tek fëmijët, krahasuar me fëmijët që nuk janë ushqyer asnjëherë me gji apo që janë ushqyer për një kohë më të shkurtër.

Leukemia është kanceri më i shpeshtë që haset tek fëmijët dhe përbën 30% të të gjitha kancereve të fëmijërisë. Edhe sot, shumë pak dihet për shkaktarët e saj. Qumështi i gjirit është i dedikuar ekskluzivisht për përmbushjen e të gjitha nevojave ushqyese të bebeve dhe rekomandimet aktuale përfshijnë ekskluzivisht ushqyerjen me gji për gjashtë muajt e parë të jetës për të optimizuar rritjen, zhvillimin dhe shëndetin e tyre.

Efrat L. Amitay, Ph.D., M.P.H., dhe Lital Keinan-Boker, M.D., Ph.D., M.P.H., nga Universiteti i Haifa, Izrael, kanë vlerësuar dëshmitë e 18 studimeve mbi lidhjen që ekziston në mes të ushqyerjes me gji dhe leukemisë së fëmijërisë.

Në një vlerësim të 18 studimeve, autorët kanë ardhur në përfundim se ushqyerja me gji për gjashtë muaj apo më gjatë lidhet direkt me uljen e rrezikut për së paku 19%, krahasuar me mungesën e gjidhënies apo gjidhënien për periudhë më të shkurtër. Një analizë e ndarë e bërë mbi 15 studime ka gjetur se ushqyerja e vazhdueshme me gji në krahasim me mos-ushqyerjen fare me gji, janë të lidhura me uljen e rrezikut të prekjes nga leukemia e fëmijërisë për afro 11%.

Autorët sugjerojnë që mekanizmat e shumtë biologjik të qumështit të gjirit shpjegojnë rezultatet e tyre, duke qenë se qumështi i gjirit përmbanë shumë komponentë aktiv imunologjik dhe mekanizma mbrojtës anti-flamatorë që ndikojnë në zhvillimin e sistemit imun tek një i posalindur.

“Duke qenë se qëllimi kryesor i shëndetit publik është parandalimi i sëmundjeve të rënda, profesionistët mjekësor duhet t’i dijnë përfitimet potenciale shëndetësore të gjidhënies dhe mjetet shoqëruese që ndihmojnë nënat në procesin e ushqyerjes me gji. Përfitimet potenciale shëndetësore të gjidhënies, duhet që t’i komunikohen hapur edhe publikut të gjerë, e jo vetëm nënave, në mënyrë që gjidhënia të pranohet miqësisht dhe të lehtësohet. Për më tepër, nevojiten studime të nivelit edhe më të lartë në mënyrë që të sqarojnë mekanizmat biologjik që qëndrojnë në lidhjen në mes të gjidhënies dhe nivelit të ulët të sëmundjes së leukemisë tek fëmijët,” thuhet në studim.

Burimi: / The JAMA Network Journals. (2015, June 1). Breastfeeding may lower risk of childhood leukemia, study suggests. ScienceDaily. Retrieved August 11, 2015 from/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here