Të dashur mami dhe babi,
Dje unë isha aty kur ju po grindeshit për motrën time të vogël. Mami i kishte kapur dy duart e saj kurse babi dy këmbët. Po mendoja se motra ime e vogël do të ndahej në gjysmë, por, ajo vetëm qante sepse është një vjeçe. Unë ndihesha shumë keq pasi nuk mundesha të ju ndaloj të grindeshit për të, i tërë faji është i imi. Ndoshta do të ishte më mirë sikur të mos grindeni aq shumë.
Babi, ti thua gjëra të këqija për mua dhe mamin. Ti thua që mami thotë gënjeshtra për ty. Por, ajo është e mirë me mua dhe kujdeset për motrën time të vogël. Ajo me dëgjon mua kur jam e mërzitur dhe mundohet që unë të ndihem mirë. Ajo thotë që ti je i keq dhe po të ishe ti i mirë as ajo nuk do të ishte e keqe me ty. Babi, të lutem bëhu i mirë me mamin që edhe ajo të jetë e mirë me ty.
Babi, unë kënaqem kur luajmë bashkë. Ti më dërgon në vendet që unë i dua. Por, mami më thotë që unë nuk jam e detyruar të shkoj me ty nëse nuk dua.
Ajo më tha që do të bëjmë gjëra të mrekullueshme nëse nuk vij me ty. E pëlqej edhe sjelljen e saj ndaj meje, prandaj edhe hutohem se me kë duhet të shkoj. Nuk dëshiroj të shkoj askund pa motrën time të vogël pasi që asaj i nevojitet të kujdesem për të. Kur jam në shkollë jam larg saj dhe do të dëshiroja që fare të mos shkoj, por, të qëndroj në shtëpi dhe t’i ndihmoj mamit që të kujdeset për të. Mami lodhet shumë shpejtë dhe vetëm unë e di si ndihet ajo. Një ditë kishte fjetur dhe unë u mundova ta zgjoj, por, ajo nuk dëshironte. Motra ime e vogël po qante dhe unë i fola asaj derisa u zgjua mami. Ishte bërë natë…
Unë e dua shkollën, por, ju vazhdoni të grindeni për para dhe sa kushton shkolla. Të gjithë shokët e mi shkojnë atje, por, unë nuk dua që ju të grindeni. A mund të shkoj unë në shkollë e ju të mos grindeni? Nuk mërzitem fare se ku do të shkoj. Unë do të jem mirë kudo që më dërgoni. Ju premtoj.
Unë nuk dua të gënjej. Në shkollë kam mësuar se nuk duhet të gënjejmë, por, ti mami më ke kërkuar që të them gënjeshtra për babin. Më ke thënë që t’i them mësueses se babi më ka goditur. Babi nuk më ka goditur. I kam thënë se më ka goditur, por, ti nuk ke qenë aty sa pyetjet mi ka bërë mësuesja e unë nuk kam ditur t’u përgjigjem. A mund të vish në shkollë dhe t’i thuash mësueses se ti ke kërkuar nga unë që të them ashtu? Unë nuk dua ta gënjej mësuesen. Ajo është e mirë me mua dhe hidhërohet kur fëmijët tjerë gënjejnë. Unë nuk dua të jem si ata.
Babi, ti më frikëson kur zemërohesh. Nuk e dua zërin tënd të zemëruar. Mami më ka thënë se kur bëhesh i tillë, ti i lëndon njerëzit. Ti nuk më ke lënduar mua, por, unë frikësohem që nëse nuk jam i mirë sa duhet, do të më lëndosh. Unë poashtu nuk dua që motra ime e vogël të lëndohet, prandaj të lutem të mos jesh i zemëruar. Do të bëj çfarë të duash vetëm ndalo së bërtituri. Të lutem mos më lëndo, ashtu siç ka thënë mami se do ta bësh.
Unë mërzitem kur ju grindeni për motrën time të vogël. E di që ju nuk jeni grindur kështu për mua, pasi unë jam i keq dhe ajo është e mirë. Në rregull. E di që unë jam i keq, se po të isha i mirë ti nuk do ta kishë lënë babin. I kam thënë motrës time të vogël të jetë e mirë që mami të mos ikë, sepse kështu bëjnë prindërit kur fëmijët nuk janë të mirë.
E kam një ide. Pasi që unë jam i keqi, më ndani mua në gjysmë kështu që motra ime e vogël të mos ndahet. Frikësohem se një ditë do ta lëndoni atë dhe unë do të mërzitem shumë. Nuk dua të jetoj pa të. Atëherë ndoshta ju më nuk do të grindeni. Kjo është e tëra që unë dua nga ju – të ndaleni së grinduri.
Ju lutem ndaluni!
Me dashuri,
Fëmiu juaj