Home PËR GRATË Bota e Gruas Nënat që punojnë nuk duhet të kenë ndjenja faji!

Nënat që punojnë nuk duhet të kenë ndjenja faji!

0

Nga Paulina Nushi Muhaxhiri

Ëndërra e çdo gruaje është sjellja në jetë e fëmijës së saj, në atë moment nuk lind vetëm një fëmijë, lind edhe nëna e cila gjithmonë e ka menduar atë moment si më të bukurin në jetë dhe në fakt ashtu është.

Të qenurit nënë është kënaqësi, sakrificë e sfidë, aq më tepër për nënat që punojnë dhe kthehen në punë pas pushimit të lehonisë.

Rikthimi nuk është i lehtë, shoqërohet me ndjenja faji, me dëshirë për të mos vazhduar punën,  nga ana tjetër me mendime të përziera.

“Cka nëse nuk mund të përballojmë shpenzimet mujore nëse unë nuk punoj? Cka nëse fëmija im do të mbetet keq për ushqim të shëndetshëm ose gjëra tjera të nevojshme? Cka nëse e mbingarkoj bashkëshortin dhe shkaktoj vështirësi në familjen tonë?”

Këto e shumë të tjera e ndryshojnë situatën, ju filloni e mendoni se duhet të riktheheni në punë dhe se kjo nuk ka të bëjë me atë nëse ju doni ose jo. JU DUHET TË KTHEHENI.

Në fakt, ju bëni veprimin e duhur duke u rikthyer në punë dhe këtë po u’a them me shumë përgjegjësi nga përvoja ime.

Rikthimi ishte i vështirë, kisha ndjenjën se po e braktisi vajzën, sikur dërgimi në kopsht do të jetë mëkati më i madh që e kam bërë në raport me vajzën time Aniken.


Në fakt ky ishte mendim i gabuar. Sot kur ajo është gati 3 vjeçare e shoh një vajzë të vogël, të pavarur, të socializuar me dëshirë për të shkuar në kopsht, me një dashuri për mësueset dhe shoqërinë.

Nga ana tjetër unë kam ecur në hap me kohën, i jam rikthyer punës dhe profesionit menjëherë pas muajit të nëntë të lehonisë, i’a kam dëshmuar vetës se të qenurit nënë dhe gazetare nuk janë problem për të qenë e përkushtuar në të dyja rolet.

Unë e di se jo çdo grua në Kosovë e ka fatin të ketë nëntë muaj pushim lehonie dhe rikthimi më herët është edhe më i vështirë, por ajo që dua të them është se ju po e bëni më të mirën për fëmijën tuaj.

Fëmijët tanë duhet të kenë para syve shembullin e dy prindërve që punojnë shumë për familjen.
As mos të ju shkojë në mendje se nuk jeni nënë e mirë, ju jeni nëna më e mirë në botë, ju po bëni përpjekje që jo vetëm fëmijës por gjithë familjes të mos i mungoj asgjë.

Vlerësojeni veten dhe përpjekjet tuaja e mos harroni se fëmijët tanë nesër do e vlerëojnë mundin dhe sakrificën tonë.

Forca…..

Paulina Nushi Muhaxhiri është nëna e Anikes e cila shpejtë mbush 3 vjet. Ajo punon në Televisionin Dukagjini si gazetare, pothuajse shtatë vjet ka punuar në Rrjetin e Gazetarisë Hulumtuese BIRN. Ajo ka bërë emisione hulumtuese kushtuar mënyrës së të ushqyerit të fëmijëve kosovarë në shkolla dhe emisione të tjera kushtuar shëndetit të nënave dhe fëmijëve në emisionin “Jeta në Kosovë” dhe në KALLXO.com. Paulina ka qenë aktive në shumë emisione për të ndarë përvojat e saj për mënyrën e të ushqyerit të Anikes.

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Exit mobile version