Jo rrallëherë, edhe fëmijët përballen me situata stresuese, e të cilat mund të ndikojnë në mënyrë negative tek ta në aspektin afatgjatë. Sipas disa studimeve të bëra, thuhet se të rriturit jo gjithmonë e kuptojnë nivelin e stresit me të cilin përballen fëmijët e tyre. Fëmijët që janë të stresuar mund të vuajnë nga çrregullimet e gjumit, sëmundje të lëkurës, rritje të mundësive për infeksion, simptoma të rënda të astmës dhe diabetit dhe mundësi të lartë të diagnostikohen me çrregullimin e njohur si ADHD (deficiti i vëmendjes dhe hiperaktiviteti).
Në momentin që e vëreni se fëmiu juaj po përballet me stres, ajo çka duhet të bëni ju si prind fillimisht është të identifikoni se cilët janë shkaktarët e stresit. Çështjet familjare si shkurorëzimi, mungesa e prindërve dhe problemet financiare konsiderohen si disa prej faktorëve që mund ta shkaktojnë stresin. Madje, thuhet se edhe ngjarjet globale si sulmet terroriste apo luftërat mund të shkaktojnë stresin tek fëmijët e vegjël.
Është e rëndësishme që të mundoheni të kaloni sa më shumë kohë më fëmiun tuaj, dhe që herët të filloni ta përgatisni se si të përballet me sfidat e jetës dhe periudhat stresuese. Kjo do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë inteligjencën emocionale dhe do të rris vetëbesimin e tyre.
Në vijim i gjeni disa prej mënyrave kryesore për largimin e stresit tek fëmiu juaj:
Luani lojë me role – Ftojeni fëmiun tuaj që të luani me lodra së bashku. Pastaj zhvilloni një skenar stresues ku ariu pelush hidhërohet që makina e tij lodër ka rënë në tokë. Lëreni fëmiun tuaj që ta mësoj pelushin se çka duhet të bëjë për tu ndjerë më mirë.
Fluskat – Fluskat janë shumë argëtuese për shumicën e fëmijëve. Përpiquni t’i mësoni fëmijët tuaj të krijojnë fluska ose të bëhen kinse po krijojnë. Ju mund të befasoheni sa shumë argëtim dhe lumturi mund të krijoj kjo situatë.
Mësoni fëmiun tuaj për perceptimin – Provoni ta shihni se a është fëmiu juaj në gjendje t’i kuptoj konceptet themelore si lumturia, hidhërimi dhe pikëllimi. A mundeni ju dhe fëmiu juaj të përcaktoni se çka po e shkakton stresin? Si e bën të ndihet? A ka ndikuar që rrahjet e zemrës së fëmiut të jenë më të forta? A ka pasur dridhje të duarëve? Duke i ofruar fëmiut suaj një pasqyrë më të gjerë të elementeve emocionale, identifikimi dhe mënjanimi i momenteve stresuese do të jetë më i lehtë.
Zgjidheni problemin së bashku – A i duhet fëmiut tuaj një përqafim apo i duhet pak kohë derisa të ndjehet më i qetë? Nëse nuk e dini, atëherë pyeteni. Ofrimi i mundësisë për fëmiun tuaj që vet të marrë vendime, qoftë edhe për çështje fare të vogla, jo vetëm që paraqet besimin tuaj në aftësitë e tij për zgjidhjen e problemit, por i mëson ata që t’i ndiejnë emocionet e tyre dhe të veprojnë me zemër.
Artet dhe punëdore – Vizatimi, ngjyrosja, pikturimi dhe loja me rërë janë lehtësues të mëdhenjë të stresit, meqë lejon fëmijët që të procesojnë emocionet e tyre përderisa kryejnë njërën nga këto aktivitete.
Loja – Loja është një mënyrë e pabesueshme të cilën fëmijët e përdorin jo vetëm për ta kuptuar botën rreth tyre, por edhe për të krijuar ide se si ajo të duket. Ofrimi i hapësirës që ata të luajnë pa ndonjë presion, është lehtësues i madh i stresit. Përpiquni të mos ndërhyni në lojën e fëmiut, por, vetëm qëndroni dhe shikoni përveç nëse ai kërkon t’i bashkoheni. Do të habiteni çfarë tema dhe risi do të sjellë fëmiu juaj gjatë lojës.