Lindja me operacion duket të jetë shndërruar në mundësinë e parë që gratë mendojnë për të sjellë në jetë një fëmijë megjithatë dhe prerja cezariane shoqërohet me komplikacione apo efekte të padëshirueshme
Më poshtë Living do të listojë të gjitha gjërat që duhet të dini pasi keni dalë nga salla e operacionit. Informacioni është dhënë nga ekipi i mjekëve të Klinikës Mayo shkëputur nga libri : udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme.
Periudha e shërimit: Pas operacionit, pacientja qëndron në maternitet rreth tri ditë. Disa mund të dalin edhe dy ditë pas operacionit.
Gjatë qëndrimit në maternitet, por edhe kur të ktheheni në shtëpi, është e rëndësishme që të kujdeseni për veten, që të mëkëmbeni sa më shpejt. Pjesa dërrmuese e grave e marrin veten nga operacioni me shumë pak ose asnjë problem.
Dhimbjet. Në maternitet do t’ju japin qetësues për dhimbjet. Ndoshta nuk ju pëlqen ideja që pas operacionit të merrni mjekime, veçanërisht nëse keni vendosur që ta ushqeni foshnjën me gji, por pasi t’ju dalë anestezia, është e rëndësishme të merrni qetësues për dhimbjet, që të jeni sa më të qeta. Qetësimi është thelbësor gjatë ditëve të para kur plaga nis të shërohet.
Nëse ka ardhur koha të dilni nga materniteti, por ndieni ende dhimbje, mjeku mund t’ju rekomandojë disa qetësues, të cilët mund t’i merrni edhe në shtëpi.
Ushqyerja. Orët e para pas operacionit, mund të mbani në gojë vetëm ndonjë copë të vogël akulli ose të pini disa gllënjka ujë.
Menjëherë pasi aparati tretës të fillojë të punojë normalisht, mund të pini më shumë lëngje dhe ndoshta të konsumoni disa ushqime që treten lehtë. Do të jeni gati të filloni të hani, kur të keni gazra. Kjo tregon se aparati tretës po ripërtërihet dhe po fillon të punojë sërish.
Të ecurit. Disa orë pas operacionit, do t’ju nxisin të bëni një shëtitje të shkurtër. Ecja mund të jetë gjëja e fundit që doni të bëni, por ju bën mirë për trupin dhe është pjesë e rëndësishme e mëkëmbjes. Ajo ju ndihmon të pastroni mushkëritë, të përmirësoni qarkullimin e gjakut dhe që aparati urinar dhe ai tretës të punojnë sërish normalisht.
Nëse keni dhimbje nga gazrat, ecja do t’ju ndihmojë që t’i nxirrni ato. Gjithashtu, ju ndihmon në parandalimin e trombozave, një ndërlikim i mundshëm i operacionit. Pas shëtitjes suaj të parë e të shkurtër, ndoshta do të filloni të bëni disa xhiro të shkurtra disa herë në ditë, derisa të vijë koha që të ktheheni në shtëpi.
Sekrecionet vagjinale. Pas lindjes, do të keni rrjedhje të atyre që quhen ujëra të paslindjes, sekrecione në ngjyrë kafe ose pa ngjyrë që zgjasin për disa javë. Disa gra që kanë lindur me operacion habiten nga sasia e sekrecioneve që mund të kenë.
Edhe pse placenta hiqet gjatë operacionit, mitra ka ende nevojë të pastrohet dhe këto sekrecione janë pjesë e këtij procesi.
Kujdesi për plagën. Një ditë pas operacionit, fasha e vendosur te plaga mund të hiqet dhe gjatë qëndrimit në maternitet, mjekët dhe infermieret do t’jua kontrollojnë vazhdimisht plagën. Mund të keni kruajtje të saj, ndërkohë që shërohet. Mos e prekni! Alternativa më e mirë dhe më e sigurt, është përdorimi i një kremi. Në rast se prerja është mbyllur me kapëse kirurgjikale, ka mundësi që ato të hiqen para se ju të dilni nga materniteti.
Me t’u kthyer në shtëpi, mund të bëni dush si zakonisht. Më pas, thajeni plotësisht plagën me një peshqir apo tharëse flokësh. Ajo do t’ju dhembë dhe do të jetë e ndjeshme edhe për disa javë. Nëse veshja jua ngacmon atë, ndoshta do të ndiheni më mirë po të vendosni një garzë mbi të dhe të vishni rroba sa më të lirshme. Mos harroni që ndjesia e djegies përreth plagës është më se e zakonshme.
Ushqyerja me gji: Kur pas operacionit, të filloni ta ushqeni foshnjën me gji, mund të keni parasysh disa teknika, për shembull, mund të provoni pozicionin e futbollistit, ku mund ta mbani foshnjën, pak a shumë siç mund të mbani poshtë krahut topin e futbollit.
Ky pozicion është shumë i përhapur mes nënave që kanë lindur me prerje cezariane, sepse foshnja nuk ushtron presion mbi plagën ende të pambyllur të barkut. Ditët e para pas operacionit, ndoshta mund të provoni t’i jepni gji foshnjës në pozicionin shtrirë.
Komplikacionet e mundshme: Pasi të dilni nga materniteti, kontaktoni me mjekun nëse keni shenjat apo simptomat e mëposhtme:
▪ temperaturë 38 gradë celsius ose më shumë;
▪ dhimbje gjatë urinimit;
▪ sekrecione vagjinale (ujërat e paslindjes) më të bollshme krahasuar me zakonisht;
▪ çarje të plagës;
▪ skuqje apo rrjedhje të plagës;
▪ dhimbje të forta në bark.
Burimi: /Telegrafi/