A i thoni vetes, “Mos harro qumështin” para se të dilni nga shtëpia dhe pastaj, kur ktheheni në shtëpi pa qumështin, i thoni vetes “Si mund të jesh kaq harraq/e?”. A keni një “bisedë me veten” të vazhdueshme gjatë ditës?
Shumë njerëz përdorin një lloj komunikimi për të organizuar dhe përqendruar mendimet e tyre. Sidoqoftë, rezulton se disa të tjerë nuk e kanë fare këtë lloj monologu të brendshëm.
Russell Hurlburt është profesor i psikologjisë në Universitetin e Nevadas, Las Vegas. Për dekada, ai ka bërë eksperimente për përvojat e brendshme të njerëzve, mendimet, ndjenjat dhe ndjesitë e tyre.
Testet e tij filluan shumë kohë më parë. Si student i diplomuar në fillimin e viteve ’70, Hurlburt filloi të pyeste se si shkencëtarët mund të hetonin përvojat e brendshme të pacenuara të subjekteve, përvojat që janë në vetëdijen tuaj të tanishme, para se truri të përpiqet t’u japë kuptim ose t’u caktojë një lloj interpretimi.
“Objekti i kërkimit tim nuk është të eksplorojë fjalimin e brendshëm ose monologun e brendshëm ose çfarëdo që dëshironi ta quani, por të eksploroni përvojën tuaj ashtu siç është në të vërtetë”, thotë Hurlburt.
Hurlburt, i cili ka përvojë inxhinierike, projektoi dhe patentoi një pajisje-beeper (pajisje që lëshon tinguj të shkurtër, të fortë si sinjal) që jepte sinjale në intervale të çrregullta. Sa herë që pajisja lëshonte tingullin, ai u kërkonte subjekteve të bënin shënime për përvojat e tyre në atë moment. Ata u udhëzuan të provonin dhe të sqaronin se çfarë po ndodhte në mendjet e tyre në çaste të caktuara.
Pajisja lëshoi tinguj vetëm disa herë. Kjo ishte e qëllimshme, në mënyrë që subjektet e hulumtimit të harronin se i kishin pajisjet dhe kështu, të mos “ndotnin” proceset e të të menduarit me gjëra rreth eksperimentit.
Më vonë, studiuesit u bënë studentëve pyetje për të kuptuar më mirë se çfarë mendonin ata kur tingëllonte pajisja. A po vizualizonin diçka? Patën ndonjë emocion? Kjo linjë e hetimit quhet Kampionimi i Përvojës Përshkruese (DES).
Në hulumtimin e tij, ai zbuloi se shumica e subjekteve përpiqeshin të artikulonin mënyrën se si po flisnin me veten. Kur ai u kërkoi atyre fjalët ose fjalitë specifike, shumë prej tyre nuk dinin se çfarë të shpjegonin. Studimi i tij tregoi se disa subjekte flisnin me veten rreth 26% të kohës kur u morën në studim, por shumë prej tyre nuk përjetuan fare monolog të brendshëm.
Shkencëtarët janë ende skeptikë. Disa hulumtime tregojë se njerëzit shpesh përdorin këtë verbalizim të brendshëm kur janë nën presion. Njerëzit që raportojnë monolog të brendshëm, priren t’i perceptojnë zërat si të tyren. Kjo bisedë vetjake në përgjithësi ka një ritëm dhe ton të njohur, megjithëse zëri mund të ndryshojë në varësi të situatës.
Por çfarë e shkakton monologun e brendshëm?
Një studiues në Universitetin e British Columbia, Mark Scott, zbuloi se ekziston një sinjal i trurit i quajtur “corollary discharge” që na ndihmon të bëjmë dallimin midis përvojave shqisore që krijojmë nga ana e brendshme kundrejt atyre nga stimujt e jashtëm – dhe ky sinjal luan rol të madh në të folurin e brendshëm. Ai gjithashtu luan rol në mënyrën se si sistemet tona dëgjimore përpunojnë fjalimin. Kur flasim, ekziston një kopje e brendshme e tingullit të zërit tonë që gjenerohet në të njëjtën kohë me zërin që del kur flasim.
Sa i përket debatit në internet në lidhje me monologun e brendshëm, disa njerëz thjesht nuk mund ta imagjinojnë të mos kenë një zë të brendshëm; të tjerët mbeten të befasuar nga ideja e bisedave të brendshme të vazhdueshme.
Burimi: /Telegrafi/