Si funksionojnë testet e ovulimit?

0
Hand holding test kits with a positive pregnancy test result with baby shoe and calender in background

Si funksionojnë testet e ovulimit?

Ovulimi është një proces që zakonisht ndodh në mes të ciklit menstrual (duke llogaritur nga dita e parë e ciklit) dhe është më i saktë tek femrat që kanë cikël të rregullt menstrual.

Gjatë ovulimit, i cili ndodh një herë në muaj, veza e pjekur lëshohet prej njërës nga vezoret e femrës dhe është e gatshme për fertilizim. Nga ky moment, 12 deri në 24 orët e ardhshme përbëjnë periudhën më fertile të organizmit tuaj, rrjedhimisht kohën më të përshtatshme që ju të kryeni marrëdhënie, nëse jeni duke tentuar të mbesni shtatzënë.

Mirëpo, duhet ta kemi parasysh që cikli menstrual është ndryshe tek secila femër, madje edhe koha e vet ovulimit tënd mund të dalloj nga muaji në muaj. Janë disa mënyra që ju ta kuptoni se kur e keni kohën e ovulimit, dhe testet e ovulimit janë opsioni më i mirë.

Testet e ovulimit funksionojnë duke matur nivelet e hormonit luteinizues (LH) në urinën tuaj. Rritja e nivelit të këtij hormoni i jep signal vezorës që të lëshojë vezën, dhe kur të arrihet niveli i duhur i rritjes së LH, është shumë e mundshme që ovulimi juaj të ndodh brenda 12 deri në 36 orët e ardhshme.

Për më tepër, këto teste janë shumë praktike dhe zakonisht bëhen në shtëpi. Krejt cka duhet të bëni, është të urinoni në pjesën e butë të shkopit apo shiritit nga 5 deri në 15 sekonda (ose të urinoni në një gotë sterile dhe ta zhytni pjesën e butë të shkopit apo shiritit në të). Nëse vija e parametrit T shfaqet më ngjyrë më të errët se ajo e parametrit C, ju jeni gati të ovuloni.  

Testet e ovulimit mund të jenë të llojeve të ndryshme, andaj duhet patjetër të lexoni udhëzimet për përdorim, apo të konsultoheni më farmacistin në momentin e blerjes.

Koha më e përshtatshme që ju të filloni përdorimin e testeve të ovulimit është disa ditë para mesit të ciklit tuaj (për shembull, nëse cikli juaj është çdo 28 ditë, filloni me testin e parë në ditën e 10 ose 11, ndërsa nëse e keni ciklin jo të rregullt, bazohuni në kohëzgjatjen më të shkurtër të ciklit në 6 muajt e fundit si referencë dhe filloni testimin 3 deri në 4 ditë më herët se dita e mesit të ciklit tuaj më të shkurtër).

Mund të ju duhet të testoheni për disa ditë me radhë, derisa të vëreni një rritje në nivelin e LH, çka është plotësisht normale. Paketimet e testeve të ovulimit mund të vijnë nga 5 deri në 10 copë. Nëse përdorni test ovulimi me lexues digjital, ajo mund të bëjë krahasimin e nivelit aktual të hormoneve me ato të ditëve paraprake, gjë që e bën edhe më të lehtë përcaktimin e kohës së rritjes të nivelit të LH.

NO COMMENTS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Exit mobile version